QEVERITË BIEN NGA KRYENEÇËSIA

Nga “huliganët” e ambasadave të vitit 1990 e deri te “mbetësit”e universiteteve të 2018-ës kanë lëvizur shumë gjëra, por nuk ka ndryshuar asnjë grimë mendësia dhe kryeneçësia e qeverisë. 

Kur populli nuk duron më dhe del në rrugë, qeveria duhet t’i thërrasë mendjes: mos t’i quaj të rinjtë që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, huliganë apo “jashtëqitja e kombit” dhe mos të çirren udhëheqësit partiakë nëpër sheshe duke thënë se “ata nuk janë Shqipëria”, duke mos parë greminën se ku kishte nisur të binte qeverisja e radhës. Duke filluar nga fundi, prej Edi Ramës e deri te Ramiz Alia në fillesë, të gjitha qeveritë tona i ka karakterizuar mendjemadhësia, shkurtësia e dritës së të parit, kryeneçësia. Të gjitha qeveritë kanë vepruar sipas asaj fabulës  së gomarit, i cili ndërkohë që po e hante ujku (e kishte filluar nga bishti),  ai thoshte: ishalla jam në ëndërr. Ndodh, që një qeveri mund të jetë në gjumë teksa i proteston populli i vet, por së paku të ketë aftësinë për të dalluar ëndrrën nga realiteti.

“Profecisë” së Ramiz Alisë dhe propagandës së dalë boje, se Shqipëria nuk ishte as Lindje as Perëndim, “huliganët” iu përgjigjen duke kapërcyer kangjellat e ambasadave perëndimore dhe çarë kështu përfundimisht murin ndarës me botën demokratike. Ndërkohë që Ramiz Alia nuk realizonte kërkesën minimale, për të ndryshuar emrin e Universitetit të Tiranës, demonstruesit jo vetëm e detyruan me forcë të ndryshonte mendim, por ia tërhoqën zvarrë  nëpër shesh edhe vetë njeriun, emrin e të cilit mbante universiteti.

Ndërkohë që Sali Berisha s’pranonte as vërejtje as këshilla të kurrkuj, për 26 majin apo për ndryshime në qeveri dhe i lexonte, siç i lexon sot Edi Rama protestat e studentëve, demonstratat e Lushnjes a Vlorës, (vartësit servilë e të paaftë e gënjejnë shefin e tyre: thuhet se në janar të vitit 1997, u shkarkua nga puna oficeri i SHIK-ut në Vlorë, i cili raportoi në qendër numrin e saktë të demonstruesëve), iu desh të largohej për tetë vjet me radhë nga pushteti, pas një shkatërrimi të paparë të vendit në historinë shtetformuese të tij.

Gjovalin Gjeloshi “Kur qeveritë bien nga kryeneçësia

 

BE TIRANË

Zyra e Delegacionit të BE në Tiranë ka reaguar sot në ditën e 14 të protestës së studentëve për kushte më të mira.

“Protestat paqësore të studentëve në Shqipëri janë një shprehje e shëndetshme e demokracisë. Ekziston një konsensus i gjerë publik në shoqërinë shqiptare lidhur me kërkesat e tyre. Studentët bëjnë thirrje për standarde më të mira arsimore. E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit. Tani është koha për të ndërtuar një dialog që siguron që këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike”,– thuhet në reagimin e zyrës së BE në Tiranë.

DEPUTETËT E BUNDESTAGUT TIRANË

Gjatë ditës së sotme kanë mbërritur në Tiranë një grup deputetësh nga budestagu gjerman për kriteret e anëtarësimit në BE që duhet të plotësojë Shqipëria. Në një konferencë për mediat, deputetët gjermanë janë shprehur bojkotet parlamentare nuk janë zgjidhje dhe diskutimet duhet të bëhen në parlament.

Sa i përket propozimit të opozitës për vettingun në politikë, deputetët gjermanë e kanë mbështetur duke thënë se është një ide shumë e mirë dhe duhet të diskutohet me të gjitha palët. Në lidhje me protestën e studentëve, deputetët gjermanë kanë thënë se qeveria shqiptare nuk është aspak e angazhuar për të folur me studentët dhe për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.

PERÇARJA

Pasi ka marrë përsipër të dialogojë me FRESSH në vend të studentëve që e refuzojnë, kryeministri Edi Rama i ka lejuar vetes edhe të përzgjedhë se kush duhet të jetë në protestat e të rinjve.

Në një postim në Instagram, kryeministri ka publikuar një fotomontazh, ku sipas tij studentët nuk pranojnë që në protestat e tyre të jenë krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

STUDENTËT PROTESTUES

Studentët nuk tërhiqen nga protesta e tyre deri në plotësimin e 8 pikave të vendosura prej ditësh si kusht për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ndonëse herë në numër të madh e herë më pak, studentët prej rreth dy javësh vazhdojnë me këmbëngulje protestat e tyre para dritares së kryeministrit Edi Rama.

“Kauza në dorën e studentëve! Arsim cilësor, bashkëkohor, fuqizues, për të gjithë dhe politika arsimore transparente dhe llogaridhënëse. Nesër, datë 19 dhjetor, studentët bojkotojnë mësimin dhe takohemi të gjithë tek korpusi universitar në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e studentëve.

EKONOMIKU TIRANË

Dekanati bashkë me studentët e Fakultetit të Ekonomisë kanë vendosur që të mos paguajnë asnjë tarifë shkollimi deri në marrjen e përgjigjes për 8 kërkesat e tyre, ndërsa një masë tjetër është edhe shtyrja e sezonit të provimeve për shkak të situatës së krijuar. Një pikë tjetër është zerimi i tarifave të brendshme. Gjithashtu, në dokument thuhet se do të bëhet transparencë për çdo veprim financuar të Fakultetit.

BUJQSORI TIRANË

Por edhe pse ishte një takim i montuar në Universitetin e Kamzës nuk munguan replikat mes disa studentëve kurajozë dhe kreut të qeverisë. Në këto pak momente, kur “dialogu”  i kryeministrit doli nga skenari i përgatitur, disa studentë kërkuan nga kreu i qeverisë përgjigjen e pyetjes më të thjeshtë që kanë bërë këto ditë: Përse kryeministri nuk i firmos tetë kërkesat e tyre?

I pyetur nga një student për këtë gjë Rama tha: “Ju nuk më keni marrë peng mua. Unë deklaratë zyrtare ty nuk të bëj. Deklaratë zyrtare, që të shkosh ti të festosh Vitin e Ri në shtëpi se më ke marrë mua peng, unë nuk të bëj. E dashke dhe me shkrim ti, që të shkosh në shtëpi me deklaratë”.

Kjo përgjigje me arrogancë tregon edhe një herë se studentët kanë të drejtë që këmbëngulin që të mos ketë negociata. Por më shumë se kaq, me këtë përgjigje, kreu i qeverisë tregoi se plotësimi i kërkesave nuk është çështje mundësish dhe fondesh nga qeveria, por vetëm çështje krenarie.

KONVIKTET TIRANË

Teksa studentët në protestë kërkojnë kushte dhe qeveria flet për dialog, në konviktet e Qytet Studentit në Tiranë vijon të konsumohet një dramë e madhe.

Në njërën nga godinat e vajzave në Qytettin Studenti, një pjesë e mirë e tavanit në dushet kolektive ka rënë duke goditur dhe një studente në kokë e shpatulla. E reja ka marrë madje dhe fraktura.

LUIGJ GURAKUQI SHKODËR

Zv/Kryeministrja Senida Mesi zhvilloi një takim me Rektorin e Universitetit të Shkodrës, Adem Bekteshi, ku në qendër ka qenë njohja me situatën pas protestës së studentëve.

Rektori Bekteshi pas takimit tha se protesta e studentëve është e drejtë dhe është koha për të reflektuar.

Bekteshi: Kërkoi informacion për statistikat lidhur me numrin e studentëve, studentët që janë me mesatare 8-9, studentët me mesatare mbi 9. Ne i kërkuam investime për Universitetin e Shkodrës. Më gjerë do të diskutohet me Senatin Akademik.E kam theksuar që protesta e studentëve është jashtëzakonisht e drejtë. Duhet të mendojmë mirë sepse Universitetet janë përgjegjëse për edukimin e brezit të ri. Është brezi më vital në Shqipëri, studenti. Nëse ne e shpërdorojmë bëjmë një gabim shumë të madh. Ka ardhur koha të mendohet shumë mirë për arsimin e lartë që ka disa vite që nuk është motivuar për zhvillim.

FShN TIRANË

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka shprehur mbështetjen  për kërkesat e studentëve pas një mbledhjeje të zhvilluar gjatë ditës së sotme.

“Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duke përcjellë me shqetësim e përgjegjësi  zhvillimet e fundit në lidhje me protestën e studentëve të universiteteve publike, në mbledhjen e jashtëzakonshme të tij të datës 18.12.2018, shprehet njëzëri në mbështetje të  shqetësimeve të drejta të studentëve dhe zgjidhjes sa më të shpejtë institucionale të tyre.

 

Marrë nga shtypi i përditshëm “Koha Jonë” 19/12/2018.

Lascia un commento